Forumi rajonal “Nga politika në ndikim: avancimi i integritetit dhe reformave institucionale në Ballkanin Perëndimor”
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ishte pjesë e Forumit Rajonal “Nga politika në ndikim: avancimi i integritetit dhe reformave institucionale në Ballkanin Perëndimor”, i cili u mbajt më 10.12.2025, në organizim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, në partneritet me UNOPS-in dhe ambasadat e Suedisë, Zvicrës dhe Bashkimit Evropian.
Forumin e hapi Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, i cili theksoi se lufta kundër korrupsionit duhet të jetë politikë e qëndrueshme shtetërore, e mbështetur në rezultate konkrete, dhe jo vetëm retorikë politike.
Në kuadër të diskutimit panel me temën “Përgjegjësia në institucionet publike – Shndërrimi i politikave në rezultate të matshme dhe të monitorueshme”, fjalë mori kryetari i KSHPK-së, Adem Çuçul, i cili u fokusua në aktivitetet për hartimin e Strategjisë Kombëtare 2026–2030 dhe ndau përvojat pozitive të KSHPK-së lidhur me bashkëpunimin me Këshillin Gjyqësor në përgatitjen e Programit për Parandalimin e Korrupsionit në sistemin gjyqësor, aktivitetet e ndërmarra për promovimin dhe forcimin e integritetit në nivel lokal, si dhe vlerësimin gjinor të realizuar në KSHPK, mbi bazën e të cilit është përgatitur plani i veprimit gjinor.
Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të ministrive të drejtësisë, organeve kundërkorrupsion dhe udhëheqës institucionesh nga vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe ekspertë kundërkorrupsion, përfaqësues të shoqërisë civile, mediave dhe organizatave ndërkombëtare.
Forumi përfshiu katër sesione të fokusuara në thellimin e bashkëpunimit rajonal, forcimin e mekanizmave të llogaridhënies, përdorimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në luftën kundër korrupsionit, si dhe rolin që shoqëria civile dhe gazetaria hulumtuese e kanë në transparencën e financave publike dhe zbulimin e abuzimeve.
Në fund të ngjarjes u miratua një deklaratë e veçantë, dokument me angazhime të matshme për integritet, transparencë dhe bashkëpunim rajonal.











