KSHPK realizoi takim me përgjegjësen për bashkëpunimin zhvillimor në Ambasadën e Suedisë
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit realizoi takim me znj. Lolo Darin, përgjegjëse për bashkëpunimin zhvillimor në Ambasadën e Suedisë, të cilës iu urua mirëseardhje e përzemërt dhe sukses në ushtrimin e mandatit të saj në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në takim u diskutua për kompetencat dhe rolin parandalues të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) në sistemin për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, me theks të veçantë në rëndësinë e parandalimit, identifikimin në kohë të rreziqeve të korrupsionit dhe forcimin e integritetit institucional.
Vëmendje e veçantë iu kushtua sistemit të integritetit, zbatimit të tij praktik në institucione, si dhe nevojës për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve, mekanizmave të monitorimit dhe mbështetjes së institucioneve për kalimin nga përmbushja formale e detyrimeve drejt zbatimit efektiv dhe të qëndrueshëm.
Gjatë bisedës u theksua gjithashtu interesi për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit me Ambasadën e Suedisë, veçanërisht në fushat që lidhen me parandalimin e korrupsionit, integritetin, zhvillimin institucional, digjitalizimin dhe forcimin e kapaciteteve analitike.
KSHPK-ja e vlerëson mbështetjen e deritanishme të Suedisë, përfshirë edhe përmes projektit „Komunitete me integritet“, i realizuar me mbështetjen e Suedisë dhe Zvicrës, si një kontribut të rëndësishëm në forcimin e zbatimit praktik të sistemit të integritetit, veçanërisht në nivel lokal.
Takimi ishte një mundësi për shkëmbim të hapur të qëndrimeve dhe për identifikimin e fushave në të cilat bashkëpunimi i ardhshëm mund të kontribuojë në krijimin e institucioneve më të fuqishme, më rezistente dhe më të përgjegjshme.













