Pjesëmarrje e KSHPK-së në konferencën rajonale për sundimin e ligjit dhe standardet kundërkorrupsion të BE-së
Anëtarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, znj. Sofija Spasova Medarska, më 29 shtator 2026 mori pjesë në konferencën rajonale online me temë „Nga kornizat e përgjithshme te direktivat e BE-së: zhvillimi i sundimit të ligjit në Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë dhe Hercegovinë“, të organizuar nga Instituti për Politikë Evropiane (EPI), në partneritet me Transparency International Bosnje dhe Hercegovinë.
Në kuadër të ngjarjes u prezantua analiza e hartuar në kuadër të projektit „Kapërcimi i hendekut: harmonizimi i gjendjeve kombëtare në fushën e sundimit të ligjit në Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë dhe Hercegovinë“. Përmes shqyrtimit të rregullimit dhe funksionimit të këshillave të prokurorisë, si dhe të kërkesave të Direktivës së BE-së për luftën kundër korrupsionit të vitit 2026, analiza ndërlidh standardet evropiane me sfidat konkrete të zbatimit të tyre në të dyja vendet.
Në konferencë morën pjesë përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, përfaqësues të sistemit gjyqësor, ekspertë dhe aktorë të tjerë nga Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë dhe Hercegovina.

Sesioni i parë iu kushtua zgjidhjeve ligjore dhe institucionale për funksionimin e këshillave të prokurorisë në të dyja vendet, me theks të veçantë në çështjen nëse ato ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme nga ndikimi politik. Në sesionin e dytë u shqyrtuan prioritetet për harmonizimin me Direktivën e BE-së për luftën kundër korrupsionit të vitit 2026, si dhe sfidat që paraqiten gjatë zbatimit të standardeve kundërkorrupsion në praktikë.
Znj. Sofija Spasova Medarska mori pjesë si paneliste në sesionin e dytë, së bashku me përfaqësues të organizatave hulumtuese dhe të shoqërisë civile.
KSHPK-ja në mënyrë të vazhdueshme i ndjek standardet e reja evropiane në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe proceset reformuese në rajon, me qëllim që në kohë të identifikojë implikimet e tyre për kornizën kombëtare dhe për kompetencat e saj. Pjesëmarrja në diskutime profesionale rajonale kontribuon në shkëmbimin e përvojave dhe në përcaktimin e prioriteteve për avancimin e mëtejshëm të parandalimit të korrupsionit dhe të sistemit të integritetit.











