„Kafe akademike“ me studentët dhe punonjësit e Fakultetit të Sigurisë – Shkup, në Universitetin „Shën Klimenti i Ohrit“ – Manastir
Zëvendëskryetari i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, z. Servet Demiri, në ambientet e Fakultetit të Sigurisë – Shkup, në Universitetin „Shën Klimenti i Ohrit“ – Manastir, mori pjesë në „Kafe akademike“ me studentët dhe profesorët e këtij fakulteti.
Kafe akademike, e cila organizohet tradicionalisht në Fakultetin e Sigurisë – Shkup, përfaqëson mundësinë për një takimin joformal mes – nga njëra anë – studentëve dhe punonjësve të Fakultetit, dhe nga ana tjetër – mysafirëve – përfaqësues të institucioneve që veprojnë në fushën e sigurisë, të drejtës, mbrojtjes, të drejtave të njeriut, politikës së jashtme… më saktë, në të gjitha ato fusha interesi që studiohen në Fakultet.
Dekani i Fakultetit të Sigurisë, prof. dr. Jonçe Ivanovski, në fjalimin e tij theksoi se ky është viti i dytë me radhë që Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) është mysafir në „Kafe akademike“, gjë që paraqet mundësi për diskutim dhe shkëmbim mendimesh mbi një çështje jashtëzakonisht të rëndësishme siç është lufta kundër korrupsionit.
Në fjalimin e tij, Zëvendëskryetari, z. Servet Demiri, shkurtimisht informoi për statusin dhe kompetencat e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), procedurat që ndiqen në raste të caktuara, mekanizmat që janë në dispozicion, si dhe sfidat me të cilat KSHPK-ja përballet në punën e tij.
Zëvendëskryetari Demiri veçanërisht theksoi veprimet e KSHPK-së në lidhje me lëndët që përmbajnë akuza për korrupsion dhe konflikt interesi në arsimin e lartë, duke theksuar nevojën që punonjësit e arsimit të lartë dhe studentët të inkurajohen të raportojnë dukuritë devijuese dhe dyshimet për korrupsion tek institucionet përkatëse. Korrupsioni është një nga problemet më të mëdha në shtetin tonë dhe për një luftë më efikase kundër tij është i nevojshëm angazhimi i të gjithë aktorëve në shoqëri, theksoi Demiri.
Ngjarja pati karakter interaktiv, ku Zëvendëskryetari i KSHPK-së, z. Servet Demiri, iu përgjigj pyetjeve të profesorëve dhe studentëve të pranishëm, të cilat ishin të lidhura me kompetencat dhe aktivitetet e KSHPK-së.