Komisioni Shtetëror mori certifikatën për Përdorues Efektiv të CAF-it.
Në hapësirat e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Nënkryetarja e KSHPK-së, znj. Biljana Karakashova Shulev dhe znj. Maja Hanzhiska Trendafilova, drejtoreshë e ReSPA (Shkolla Rajonale për Administratën Publike), realizuan dorëzimin e Certifikatës së Komisionit Shtetëror për Përdorues Efektiv të CAF. Kjo ngjarje u pasua nga dorëzimi i raportit të feedback-ut për CAF dhe vendimi me të cilin Komisionit Shtetëror iu dha titulli i Përdoruesit Efektiv të CAF-it më 28.02.2025 nga ReSPA.
Nënkryetarja e Komisionit Shtetëror falënderoi ReSPA-n për mbështetjen në zbatimin e gjithë procesit të implementimit të CAF-it dhe për dhënien e titullit të Përdoruesit Efektiv të CAF-it.
KSHPK-ja inkurajon edhe institucionet e tjera të sektorit publik të zbatojnë modelin CAF2020 për menaxhimin e cilësisë në punën e tyre. Ky instrument synon t’u ndihmojë institucioneve publike të identifikojnë dobësitë në funksionimin e përgjithshëm, duke përfshirë burimet njerëzore, lidershipin, strategjinë, planifikimin, etj., dhe të ndërmarrin masa për përmirësimin e tyre. Përfitimet nga zbatimi i modelit CAF2020 dhe, në përgjithësi, të instrumenteve për menaxhimin e cilësisë në administratën publike janë të shumta dhe të larmishme.
Në tre vitet e ardhshme, deri në skadimin e vlefshmërisë së titullit, Komisioni Shtetëror do të mbetet i përkushtuar në përmbushjen e plotë të Planit të Përmirësimit, me fokus të veçantë në menaxhimin e cilësisë në të gjitha segmentet e veprimtarisë. Kjo do të kontribuojë gjithashtu në avancimin e sistemit të integritetit që zbatohet brenda institucionit.
Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për mekanizmat dhe mundësitë e tjera të bashkëpunimit midis Komisionit Shtetëror dhe ReSPA-s, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit rajonal dhe shkëmbimit të përvojave, veçanërisht në drejtim të forcimit të integritetit institucional në administratën publike.

