Planifikim i përbashkët i aktiviteteve në kuadër të Projektit të USAID-it “Partneritet kundër Korrupsionit”
Në periudhën prej 14 deri më 15 mars 2024, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe ekipi i Projektit të USAID-it “Partneritet kundër Korrupsionit” mbajtën punëtori dy-ditore për planifikimin dhe krijimin e përbashkët të aktiviteteve prioritare që do të realizohen në kuadër të projektit.
Kryetarja e KSHPK-së, Tatjana Dimitrovska, shprehu mirënjohjen e madhe për organizimin e punëtorisë, me të cilën zyrtarisht fillon projekti. “Sfidë e madhe është arritja e objektivave të projektit, në drejtim të forcimit të kapaciteteve institucionale të KSHPK-së, si dhe miratimin e politikave dhe mekanizmave për parandalimin e korrupsionit. Është me rëndësi të jashtëzakonshme për KSHPK-në mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë si USAID duke pasur parasysh kapacitetet e kufizuara buxhetore dhe personale që kemi në dispozicion”, shtoi Dimitrovska.
Qëllimi i projektit është gjetja e zgjidhjeve sistematike për parandalimin e korrupsionit në bashkëpunim me partnerët lokalë, siç është KSHPK-ja e cila është një institucion shumë i rëndësishëm në sistemin e parandalimit dhe çrrënjosjes së korrupsionit në Republikën e Maqedonisë së Veriut. “Projekti do të punojë në forcimin e sistemeve në nivel kombëtar për të mbështetur luftën kundër korrupsionit përmes projektimit të përbashkët të aktiviteteve në mënyrë që të trajtohen në mënyrë efektive nevojat lokale me zgjidhje lokale”, theksoi Barbara James, drejtoreshë e projektit.
Në vazhdim të punëtorisë, kryetarja dhe anëtarët e KSHPK-së si dhe punonjësit e Sekretariatit të KSHPK-së, së bashku me ekipin e Projektit diskutuan për listën e prioriteteve dhe mundësitë për realizimin e tyre në kuadër të projektit, përcaktimin e aktiviteteve konkrete dhe afatit kohor për realizimin e tyre.