KSHPK-ja dhe Prokuroria Publike e vazhdojnë bashkëpunimin për avancimin e sistemit të integritetit
Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit dhe Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut e vazhdojnë bashkëpunimin ndërinstitucional në drejtim të forcimit të integritetit, parandalimit të korrupsionit dhe avancimit të mekanizmave të brendshëm për veprim etik dhe përgjegjës.
Kryetari i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Adem Çuçul, dhe Prokurori Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Nenad Saveski, më 11 maj 2026 nënshkruan Memorandum të ri bashkëpunimi, me të cilin përcaktohen aktivitetet e përbashkëta për periudhën e ardhshme trevjeçare.
Theks i veçantë në Memorandum i është kushtuar zhvillimit, avancimit dhe zbatimit të sistemit të integritetit në Prokurorinë Publike, proces që zbatohet me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Shkup. Në nënshkrim mori pjesë edhe shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadori Kilian Val.
Sipas Memorandumit, KSHPK-ja dhe Prokuroria Publike do të formojnë një grup të përbashkët pune i cili do të punojë në përgatitjen e një politike për integritet të dizajnuar në mënyrë specifike, të përshtatur me pozitën kushtetuese dhe ligjore, strukturën organizative dhe aktet e brendshme të Prokurorisë Publike.
Bashkëpunimi do të përfshijë edhe shkëmbim përvojash, konsultime dhe mbështetje profesionale në fushën e vendosjes dhe përmirësimit të mekanizmave të brendshëm për integritet, parandalimin e korrupsionit, menaxhimin e rreziqeve, parandalimin e konfliktit të interesit dhe forcimin e sjelljes etike.
Me vazhdimin e kësaj bashkëpunimi, KSHPK-ja konfirmon përkushtimin e saj për të mbështetur institucionet në ndërtimin e sistemeve funksionale dhe të qëndrueshme të integritetit, të bazuara në parandalim, transparencë, llogaridhënie dhe respektim të kompetencave dhe pavarësisë institucionale të secilit institucion.













