Integriteti në ndërmarrjet publike fillon nga mënyra e përzgjedhjes së organeve të menaxhimit dhe mbikëqyrjes
Kryetari i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Adem Çuçul, më 24 prill, mbajti fjalim në takiminin e 91-të të Juristëve, i cili u mbajt në Hotel Metropol në Ohër. Tema e fjalimit të tij ishte: “Korniza kundërkorrupsion për ndërmarrjet publike – transparenca dhe llogaridhënia në punë, nga interesi publik deri te diskrecioni gjatë selektimit të organeve të menaxhimit dhe mbikëqyrjes.”

Në fjalimin e tij, kryetari Çuçul theksoi se ndërmarrjet publike nuk janë vetëm subjekte që kryejnë veprimtari me interes publik, por edhe institucione në të cilat menaxhohen mjete publike, shërbime publike, politikat kadrore dhe vendimet e rëndësishme që ndikojnë drejtpërdrejt në përditshmërinë e qytetarëve. Prandaj, çështja e funksionimit të tyre nuk është vetëm çështje e efikasitetit, por edhe çështje e integritetit, llogaridhënies dhe parandalimit të korrupsionit.

Theks i veçantë në fjalim iu kushtua përzgjedhjes dhe emërimit të organeve të menaxhimit dhe mbikëqyrjes, si një nga pikat më të ndjeshme nga aspekti i integritetit. U theksua se pikërisht mënyra se si zgjidhen organet drejtuese dhe mbikëqyrëse ndikon në cilësinë e menaxhimit, mbikëqyrjes, politikave kadrore, funksionimit financiar dhe besimit të publikut.
Në këtë drejtim, KSHPK-ja rikujtoi se në kuadër të Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit 2021–2025, ndërmarrjet publike dhe shoqëritë tregtare në pronësi të shtetit dhe të njësive të vetëqeverisjes lokale janë njohur si sektor ku nevojitet një qasje sistematike për parandalimin e korrupsionit. Me mbështetjen e UNDP-së, KSHPK-ja përgatiti vlerësimin e cenueshmërisë ndaj korrupsionit në këtë sektor, dhe më pas edhe Programin kundërkorrupsion për ndërmarrjet publike dhe shoqëritë tregtare në pronësi shtetërore dhe të komunave dhe Qytetit të Shkupit 2024–2025 me plan veprimi, si një instrument konkret për adresimin e rreziqeve dhe përmirësimin e integritetit.
Në fjalim u prezantuan edhe të dhëna që tregojnë një rritje të vazhdueshme të numrit të ndërmarrjeve publike, veçanërisht në segmentin ku themelues janë njësitë e vetëqeverisjes lokale. Njëkohësisht, u theksua edhe rëndësia e Regjistrit të subjekteve publike, si parakusht për dukshmëri, monitorim dhe analizë më të mirë të sistemit të subjekteve publike dhe të rreziqeve që lidhen me funksionimin e tyre.
KSHPK-ja vlerësoi se lufta kundër korrupsionit në ndërmarrjet publike nuk mund të reduktohet vetëm në përmbushje formale të procedurave, por kërkon zbatim real të sistemit të meritës, kritere të qarta, mekanizma të fortë mbikëqyrjeje, transparencë në rekrutime dhe prokurime, sisteme funksionale për raportim të brendshëm dhe përgjegjësi të qartë në menaxhim.

Në fund të fjalimit u theksua se interesi publik kërkon llogaridhënie publike, llogaridhënia publike kërkon rregulla transparente, ndërsa rregullat transparente kanë vlerë të vërtetë vetëm kur realisht e kufizojnë hapësirën për diskrecion. KSHPK-ja do të vazhdojë edhe më tej të kontribuojë në avancimin e qasjes sistemore për parandalimin e korrupsionit në ndërmarrjet publike, si një segment i rëndësishëm i integritetit institucional dhe sundimit të ligjit.








