U mbajt tryeza e parë e rrumbullakët për lobim me komunitetin e biznesit
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, në bashkëpunim me projektin „Mbështetja e BE-së për Sundimin e Ligjit“, më 16 prill 2026, në Klubin e Deputetëve në Shkup, mbajti tryezën e parë të rrumbullakët me temë „Lobimi në Maqedoninë e Veriut“, e dedikuar për përfaqësuesit e komunitetit të biznesit.

Ngjarja përbën pjesë të një serie tryezash tematike të rrumbullakëta, të cilat kanë për qëllim të nxisin një debat më të gjerë publik dhe të forcojnë ndërgjegjësimin për rëndësinë e praktikave transparente, etike dhe të përgjegjshme të lobimit, në përputhje me Ligjin për Lobim.
Në tryezën e rrumbullakët fjalë hyrëse mbajtën kryetari i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Adem Çuçul, dhe përfaqësuesi i projektit „Mbështetja e BE-së për Sundimin e Ligjit“, Roman Prah. Në fjalimin e tij, kryetari Çuçul theksoi rëndësinë e rregullave të qarta dhe transparente për lobimin, si parakusht për forcimin e besimit në institucione dhe krijimin e një mjedisi të parashikueshëm dhe të drejtë biznesi.
Në kuadër të ngjarjes u prezantua korniza ligjore dhe praktikat e lobimit në Maqedoninë e Veriut, me ç’rast u theksua roli i KSHPK-së në avancimin e transparencës dhe integritetit në këtë fushë.

Kontribut të veçantë dhanë edhe ekspertët ndërkombëtarë, të cilët ndanë përvoja praktike nga Republika e Sllovenisë dhe Bashkimi Evropian, duke hapur diskutim për sfidat dhe mundësitë për përmirësimin e mëtejmë të sistemit të lobimit.

Ngjarja ishte interaktive dhe mundësoi shkëmbim aktiv të mendimeve ndërmjet përfaqësuesve të komunitetit të biznesit dhe institucioneve, me ç’rast u theksua nevoja për një qasje të përbashkët në ndërtimin e një kulture të transparencës dhe integritetit në proceset e përfaqësimit të interesave.

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit mbetet i përkushtuar në avancimin e transparencës dhe integritetit në lobim, si një segment i rëndësishëm i parandalimit të korrupsionit dhe forcimit të qeverisjes së mirë.









